Keqinformimi
Detajet e politikës
EVIDENCA E NDRYSHIMEVE
Sot
8 Pri 2025
14 Mar 2025
8 Jan 2025
19 Kor 2024
10 Kor 2024
11 qer 2024
21 Maj 2024
7 Shk 2024
6 Dhj 2023
30 Sht 2023
15 Kor 2023
Arsyetimi i politikës
Keqinformimi është ndryshe nga llojet e tjera të komunikimit të trajtuara në Standardet tona të komunitetit, pasi është e pamundur të artikulohet një listë gjithëpërfshirëse e gjërave që ndalohen. Për sjelljen me urrejtje ose dhunën grafike, për shembull, politikat tona specifikojnë përmbajtjet që ndalojmë, madje edhe personat që nuk janë dakord me ato politika mund t’i ndjekin ato. Për keqinformimin, sidoqoftë, nuk mund të heqim një vijë të tillë. Bota është vazhdimisht në ndryshim dhe ajo që është e vërtetë në një moment mund të mos jetë e vërtetë momentin tjetër. Njerëzit kanë po ashtu nivele të ndryshme informacionesh për botën që i rrethon dhe mund të besojnë se diçka është e vërtetë ose jo. Një politikë që thjesht ndalon "keqinformimin" nuk do të ofronte njoftime të dobishme për njerëzit që përdorin shërbimet tona dhe do të ishte e pazbatueshme, pasi ne nuk kemi akses të përsosur tek informacionet.
Në vend të kësaj, politikat tona artikulojnë kategoritë e ndryshme të keqinformimit dhe përpiqen të japin udhëzime të qarta për mënyrën se si e trajtojmë këtë lloj gjuhe kur e zbulojmë atë. Për çdo kategori, qasja jonë pasqyron përpjekjen tonë për të ekuilibruar vlerat tona të të shprehurit, sigurisë, dinjitetit, origjinalitetit dhe privatësisë.
Ne i heqim keqinformimet kur ka mundësi që të kontribuojnë drejtpërdrejt në rrezikun për lëndime fizike të pashmangshme. Ne i heqim po ashtu përmbajtjet që mund të kontribuojnë drejtpërdrejt për të ndërhyrë në funksionimin e proceseve politike. Për të përcaktuar se çfarë përbën keqinformim në këto kategori, ne bashkëpunojmë me ekspertë të pavarur që kanë njohuri dhe ekspertizë në lidhje me vlerësimin e vërtetësisë së përmbajtjeve dhe nëse ato kanë mundësi që të kontribuojnë drejtpërdrejt në rrezikun e lëndimit të pashmangshëm. Këtu përfshihet, për shembull, bashkëpunimi me organizatat e të drejtave të njeriut që janë të pranishme në terren në një shtet për të përcaktuar vërtetësinë e një thashethemi për një konflikt civil.
Për të gjitha keqinformimet e tjera, ne përqendrohemi në pakësimin e përhapjes së tyre ose në krijimin e një mjedisi që nxit një dialog produktiv. Ne e dimë që njerëzit shpesh e përdorin keqinformimin në mënyra të padëmshme, si p.sh. për të ekzagjeruar një pikëpamje ("Ky ekip ka rekordin më të keq në historinë e këtij sporti!") ose në humor ose satirë ("Burri im sapo fitoi titullin Burri i vitit.") Ata mund të ndajnë po ashtu eksperiencat e tyre nëpërmjet historive që kanë pasaktësi. Në disa raste, njerëzit ndajnë me bindje opinione personale që të tjerët i konsiderojnë të pavërteta ose ndajnë informacione që besojnë se janë të vërteta, por që të tjerët i konsiderojnë të paplota ose çorientuese.
Duke e kuptuar se sa i shpeshtë është ky ligjërim, ne fokusohemi që t'u japim përdoruesve informacione të dobishme kur ka përmbajtje që mund të jenë çorientuese ose ngatërruese. Si pjesë e atyre përpjekjeve, jashtë Shteteve të Bashkuara, ne jemi në partneritet me organizata të kontrollit të fakteve nga palë të treta në shumë pjesë të botës për të rishikuar dhe për të vlerësuar saktësinë e përmbajtjeve më virale në platformat tona (shikoni këtu dhe këtu për qasjen tonë në Shtetet e Bashkuara). Duke filluar në Shtetet e Bashkuara, programi Shënimet e komunitetit i lejon njerëzit të shtojnë më shumë kontekst në postimet në Facebook, Instagram dhe Threads që mund të jenë çorientuese ose ngatërruese (shikoni këtu). Ne ofrojmë po ashtu burime për të rritur njohuritë dixhitale dhe për median që njerëzit të mund të vendosin vetë se çfarë të lexojnë, të besojnë dhe të ndajnë. Ne kërkojmë nga njerëzit që të zbulojnë, me anë të mjetit tonë të zbulimit të IA-së, sa herë që postojnë përmbajtje organike me një video fotorealiste ose audio me tingull realist që u krijua ose u ndryshua në mënyrë dixhitale dhe ne mund të zbatojmë dënime nëse nuk e bëjnë këtë. Mund të shtojmë gjithashtu një etiketë te disa përmbajtje të krijuara ose të ndryshuara në mënyrë dixhitale, të cilat kanë një rrezik veçanërisht të madh që t’i çorientojnë njerëzit për një çështje me rëndësi publike.
Si përfundim, ne ndalojmë përmbajtje dhe sjellje në fusha të tjera që shpesh mbivendosen me përhapjen e keqinformimit. Për shembull, Standardet tona të komunitetit ndalojnë llogaritë e rreme, mashtrimin dhe sjelljen mashtruese të koordinuar.
Ndërsa mjediset në internet dhe jashtë tij ndryshojnë dhe zhvillohen, ne do të vazhdojmë t’i zhvillojmë këto politika. Llogaritë që ndajnë në mënyrë të përsëritur keqinformimet e renditura më poshtë mund të pësojnë, përveç detyrimit për zbatimin e rregullave për përmbajtjen në përputhje me këtë politikë, pakësimin e shpërndarjes, kufizime të aftësisë së tyre për të reklamuar ose heqjen e tyre nga platformat tona. Informacionet shtesë se çfarë ndodh kur Meta i heq përmbajtjet, mund të gjenden këtu.
Udhëzimet
Keqinformimi që heqim:
Ne heqim llojet e mëposhtme të keqinformimit:
I. Dhunë ose lëndim fizik
Ne heqim keqinformimin ose thashethemet e paverifikuara që partnerët ekspertë kanë përcaktuar se ka mundësi të kontribuojnë drejtpërdrejt në një rrezik për dhunë të pashmangshme ose lëndim fizik për njerëzit. Ne e përkufizojmë keqinformimin si përmbajtje me një deklaratë që përcaktohet se është e rreme nga një palë e tretë e besueshme. Ne e përkufizojmë një thashethem të paverifikuar si një deklaratë burimi i së cilës konfirmohet nga partnerët ekspertë se është jashtëzakonisht e vështirë apo e pamundur të gjurrnohet, për të cilën mungojnë burime të besueshme, kur nuk ka specifika të mjaftueshme për të zbuluar pavërtetësinë e deklaratës ose kur deklarata është shumë dyshuese ose irracionale për të qenë e besueshme.
Ne e dimë se ndonjëherë keqinformimi që mund të duket si i padëmshëm, në një kontekst specifik, mund të kontribuojë në rrezikun për lëndime jashtë internetit, duke përfshirë kërcënime për dhunë që mund të sjellin një rrezik më të lartë për vdekje, lëndim serioz ose një lëndim tjetër fizik. Ne bashkëpunojmë me një rrjet global organizatash joqeveritare (OJQ), organizata jofitimprurëse, organizata humanitare dhe organizata ndërkombëtare që kanë ekspertizë në këto dinamika lokale.
Në shtetet ku ka më shumë rrezik për dhunë sociale, ne punojmë në mënyrë proaktive me partnerët lokalë për të kuptuar se cilat pretendime të rreme mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në një rrezik të pashmangshëm të lëndimit fizik. Më pas punojmë për të identifikuar dhe për të hequr përmbajtjen që shpreh ato pretendime në platformën tonë. Për shembull, në konsultim me ekspertët lokalë, ne mund të heqim një media jashtë kontekstit që pretendon në mënyrë të rreme se përshkruan akte dhune, viktima ose autorë të dhunës, armë ose pajisje ushtarake.
II. Keqinformimi i dëmshëm për shëndetin
Ne këshillohemi me organizatat kryesore të shëndetësisë për të identifikuar keqinformimet në lidhje me shëndetin që mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në një dëm të pashmangshëm ndaj sigurisë dhe shëndetit publik. Keqinformimet e dëmshme për shëndetin që heqim përfshijnë si më poshtë:
- Keqinformimi për vaksinat. Ne i heqim keqinformimet kryesisht për vaksinat kur autoritetet e shëndetit publik përcaktojnë se informacionet janë të rreme dhe mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në refuzime të pashmangshme të vaksinave. Ato përfshijnë:
- Vaksinat shkaktojnë autizëm (për shembull: "Rritja e vaksinimeve është arsyeja pse ka shumë fëmijë me autizëm në këtë kohë.")
- Vaksinat shkaktojnë sindromën e vdekjes së papritur të foshnjave (për shembull: "Nuk e dini se vaksinat shkaktojnë sindromën SIDS?"
- Vaksinat shkaktojnë sëmundjen nga e cila pritet t’ju mbrojnë, ose bëjnë që personi që bën vaksinën të ketë më shumë mundësi të preket nga sëmundja (për shembull: "Bërja e vaksinës ju bën që të keni më shumë mundësi të prekeni nga sëmundja sepse brenda vaksinës ka një variant të sëmundjes. Kini kujdes!")
- Vaksinat ose përbërësit e tyre janë vdekjeprurës, toksikë, helmues, të dëmshëm ose të rrezikshëm (për shembull: "Sigurisht, mund ta bëni vaksinën, nëse nuk e keni problem të futni helm në trup.")
- Imuniteti natyror është më i sigurt se imuniteti i fituar nga vaksina (për shembull: "Është më e sigurt të prekesh nga sëmundja se sa të bësh vaksinën.")
- Është e rrezikshme të bëni disa vaksina në një periudhë të shkurtër, edhe nëse koha rekomandohet nga mjekët (për shembull: "Mos bëni asnjëherë më shumë se një vaksinë në të njëjtën kohë, kjo është e rrezikshme - nuk më intereson se çfarë ju thotë mjeku!")
- Vaksinat nuk janë efektive për parandalimin e sëmundjes nga e cila kanë si qëllim t’ju mbrojnë. Megjithatë, për vaksinat e COVID-19, gripit dhe malaries, ne nuk i heqim pretendimet se ato vaksina nuk janë efektive për të parandaluar prekjen e dikujt nga këto viruse (për shembull: Hiqet - "Vaksina e poliomelitit nuk bën asgjë për të ndaluar prekjen nga sëmundja."; Hiqet - "Në fakt, vaksinat nuk bëjnë asgjë për të ndaluar prekjen nga sëmundjet."; Lejohet - “Vaksina nuk e ndalon prekjen tuaj nga COVID-19, prandaj duhet të vazhdoni të respektoni distancimin social dhe të mbani maskë kur keni pranë persona të tjerë.”)
- Prekja nga fruthi nuk mund të shkaktojë vdekjen (kërkohen informacione dhe/ose kontekst shtesë) (për shembull: "Mos u shqetësoni nëse prekeni nga fruthi, ai nuk mund të jetë vdekjeprurës")
- Vitamina C është po aq efektive sa vaksinat për të parandaluar sëmundjet për të cilat ka vaksina.
- Keqinformimi në lidhje me shëndetin gjatë urgjencave të shëndetit publik. Ne i heqim informacionet e gabuara gjatë urgjencave të shëndetit publik kur autoritetet e shëndetit publik arrijnë në përfundimin se informacionet janë të rreme dhe ka mundësi të kontribuojnë direkt në rrezikun e lëndimit të pashmangshëm fizik, duke përfshirë nëpërmjet kontributit në rrezikun që individët të marrin ose të përhapin një sëmundje të dëmshme ose të refuzojnë një vaksinë që lidhet me të. Ne i identifikojmë urgjencat e shëndetit publik në bashkëpunim me autoritetet globale dhe lokale të shëndetit.
- Promovimi ose përkrahja e kurave të dëmshme të çuditshme për problemet shëndetësore. Këto përfshijnë trajtimet ku aplikimi i rekomanduar, në kontekstin shëndetësor, mund të kontribuojë drejtpërdrejt në rrezikun për një lëndim serioz ose vdekje dhe trajtimi nuk ka një përdorim të pranueshëm shëndetësor (p.sh. zbardhues, dezinfektues, balsam i zi, sodë kaustike).
III. Ndërhyrje te votuesi ose regjistrimi i popullsisë
Në përpjekje për të promovuar integritetin e zgjedhjeve dhe regjistrimit të popullsisë, ne i heqim informacionet e gabuara që mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në një rrezik për ndërhyrje në aftësinë e njerëzve për të marrë pjesë në ato procese. Kjo përfshin si më poshtë:
- Informacione të gabuara për datat, vendndodhjet, oraret dhe metodat për votimin, regjistrimin e votuesve ose pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë.
- Informacione të gabuara se kush mund të votojë, se kush ka të drejtë të votojë, nëse një votë do të numërohet dhe se çfarë informacionesh ose materialesh duhen dhënë për të votuar.
- Informacione të gabuara nëse një kandidat është apo jo në garë.
- Informacione të gabuara se kush mund të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë dhe se çfarë informacionesh ose materialesh duhen dhënë për të marrë pjesë.
- Keqinformim për përfshirjen e qeverisë në regjistrimin e popullsisë, duke përfshirë, sipas rastit, që informacionet e një individi në regjistrimin e popullsisë do të ndahen me një agjenci tjetër qeveritare (që nuk merret me regjistrimin e popullsisë).
- Pretendime të rreme ose të paverifikuara që Autoriteti i Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE) i SHBA-së është në qendrën e votimit.
- Pretendime qartësisht të rreme se njerëzit do të infektohen nga COVID-19 (ose një sëmundje tjetër ngjitëse) nëse marrin pjesë në procesin e votimit.
- Pretendime të rreme që kushtet aktuale në vendin e votimit në SHBA do ta bënin të pamundur votimin, sipas verifikimeve nga një autoritet i zgjedhjeve.
Ne kemi politika të tjera që kanë si qëllim të mbulojnë thirrjet për dhunë, promovimin e pjesëmarrjes së paligjshme dhe thirrjet për ndërhyrje të koordinuar në zgjedhje, të cilat paraqiten në seksione të tjera të Standardeve tona të komunitetit.
Për përmbajtjen në vijim, ne përfshijmë një etiketë informuese:
Media e manipuluar
Media mund të modifikohet në mënyra të ndryshme. Në shumë raste, këto ndryshime janë të padëmshme, si p.sh. përmbajtjet që priten ose shkurtohen për arsye artistike ose muzika që shtohet. Në raste të tjera, manipulimi nuk është i dukshëm dhe mund të çorientojë.
- Përmbajtja e krijuar ose e ndryshuar në mënyrë dixhitale që mund të çorientojë. Për përmbajtjen që nuk shkel në një mënyrë tjetër Standardet e komunitetit, mund të vendosim një etiketë informuese përpara përmbajtjes - ose të refuzojmë përmbajtjen e dorëzuar si reklamë - kur përmbajtja është një imazh ose video fotorealiste ose një audio me tingull realist, që është krijuar ose ndryshuar në mënyrë dixhitale dhe ka një rrezik veçanërisht të madh që të mashtrojë në mënyrë të konsiderueshme publikun për një çështje me rëndësi publike.
Përvojat e përdoruesve
Shikoni disa shembuj se si duket zbatimi i politikave për njerëzit në Facebook, si për shembull: si duket raporti i diçkaje që mendoni se nuk duhet të jetë në Facebook, t’ju thuhet se keni shkelur Standardet tona të komunitetit dhe të shikoni një ekran paralajmërues për përmbajtje të caktuara.
Shënim: Ne jemi gjithmonë duke u përmirësuar, prandaj ajo që shikoni këtu mund të jetë pak e vjetruar në krahasim me ato që përdorim aktualisht.
EKSPERIENCA E PËRDORUESIT
Raportimi
EKSPERIENCA E PËRDORUESIT
Komunikimi pas raportimit
EKSPERIENCA E PËRDORUESIT
Eksperienca e heqjes
EKSPERIENCA E PËRDORUESIT
Ekranet paralajmëruese
Zbatimi
Ne kemi të njëjtat politika në të gjithë botën, për të gjithë në Facebook.
Ekipet e rishikimit
Ekipi ynë global me mbi 15 000 rishikues punon çdo ditë për t’i mbajtur të sigurt njerëzit në Facebook.
Angazhimi i palëve të interesuara
Ekspertët e jashtëm, akademikët, OJQ-të dhe politikëbërësit ndihmojnë për informimin e Standardeve të komunitetit të Facebook.
Merrni ndihmë për keqinformimin
Mësoni se çfarë mund të bëni nëse shikoni diçka në Facebook që është në kundërshtim me Standardet tona të komunitetit.
Vizitoni Qendrën tonë të ndihmës