Standardet e komunitetit
Hyrje
Këto standarde bazohen në reagimin nga njerëzit dhe në këshillat e ekspertëve të fushave të tilla si teknologjia, siguria publike dhe të drejtat e njeriut. Për t’u siguruar që zëri i çdo personi të vlerësohet, ne tregojmë një kujdes të madh për të krijuar standarde që përfshijnë pikëpamje dhe mendime të ndryshme, veçanërisht nga njerëzit dhe komunitetet që, përndryshe, mund të anashkalohen ose të margjinalizohen.
Çdo ditë, njerëzit e përdorin Facebook, Instagram, Messenger dhe Threads për të ndarë eksperiencat e tyre, për t’u lidhur me shokët dhe familjarët dhe për të ndërtuar komunitete. Shërbimet tona u japin mundësi miliarda njerëzve të shprehen lirisht nëpër shtete dhe kultura dhe në dhjetëra gjuhë.
Meta e di se sa e rëndësishme është që Facebook, Instagram, Messenger dhe Threads të jenë një vend ku njerëzit e ndiejnë se kanë mundësi të komunikojnë dhe ne e konsiderojmë të rëndësishëm rolin tonë për t’i mbajtur abuzimet jashtë shërbimit. Kjo është arsyeja pse krijuam standardet për gjërat që lejohen dhe që nuk lejohen në këto shërbime.
Kini parasysh se versioni në gjuhën angleze të SHBA-së i Standardeve të komunitetit pasqyron politikat më të përditësuara dhe duhet përdorur si dokumenti kryesor.
Përkushtimi ynë ndaj shprehjes
Qëllimi i Standardeve tona të komunitetit është që të krijojmë një vend për t’u shprehur dhe për t’u dhënë njerëzve një zë. Meta dëshiron që njerëzit të jenë të aftë të flasin hapur për çështjet e rëndësishme për ta, përmes komenteve me shkrim, fotografive, muzikës ose mjeteve të tjera artistike, edhe nëse disa persona mund të mos jenë dakord ose mund të mendojnë që janë të pakëndshme. Në disa raste, ne lejojmë përmbajtje - të cilat në rast të kundërt do të ishin në kundërshtim me standardet tona - nëse janë me interes për publikun dhe për të mirën e tij. Ne e bëjmë këtë, vetëm pasi peshojmë vlerën e interesit publik kundrejt rrezikut të lëndimit dhe shikojmë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për të marrë këto vendime. Në raste të tjera, ne mund të heqim një përmbajtje që përdor gjuhë të paqartë ose me nënkuptime, kur konteksti shtesë na lejon të kuptojmë në mënyrë të arsyeshme se përmbajtja është në kundërshtim me standardet tona.
Përkushtimi ynë ndaj shprehjes është parësor, por ne e dimë që interneti krijon mundësi të reja dhe të shtuara për abuzime. Për këto arsye, kur kufizojmë shprehjen, e bëjmë për t’i shërbyer një ose disa prej vlerave të mëposhtme:
ORIGJINALITETI
Ne duam të sigurohemi se përmbajtjet që shikojnë njerëzit janë origjinale. Ne mendojmë se origjinaliteti krijon një mjedis më të mirë për të ndarë me të tjerët dhe kjo është arsyeja pse nuk duam që njerëzit t’i përdorin shërbimet tona për ta paraqitur gabim se cilët janë ose se çfarë po bëjnë.
SIGURIA
Ne jemi të përkushtuar për t’i bërë Facebook, Instagram, Messenger dhe Threads vende të sigurta. Ne i heqim përmbajtjet që mund të rritin rrezikun për dëmtime të sigurisë fizike të njerëzve. Përmbajtja që kërcënon njerëzit ka potencialin të frikësojë, të përjashtojë ose të heshtë të tjerët dhe nuk lejohet në shërbimet tona.
PRIVATËSIA
Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur privatësinë dhe informacionet personale. Privatësia u jep njerëzve lirinë për të qenë vetvetja, për të zgjedhur se si dhe kur të ndajnë në shërbimet tona dhe për t’u lidhur më lehtë.
DINJITETI
Ne mendojmë se të gjithë njerëzit janë të barabartë për sa i përket dinjitetit dhe të drejtave. Ne presim që njerëzit të respektojnë dinjitetin e të tjerëve dhe të mos i ngacmojnë apo t’i ulin të tjerët.
Standardet e komunitetit
Standardet tona të komunitetit zbatohen për të gjithë njerëzit, në të gjithë botën dhe për të gjitha llojet e përmbajtjes, duke përfshirë përmbajtjen e gjeneruar nga IA-ja.
Çdo paragraf i Standardeve tona të komunitetit fillon me një “Arsyetim të politikës” që përcakton qëllimet e politikës, i ndjekur nga rreshtat specifike të politikës që përcaktojnë:
Përmbajtjen që nuk lejohet; dhe
Përmbajtjen që kërkon informacione ose kontekst shtesë që të veprohet, përmbajtjen që lejohet me një ekran paralajmërues ose përmbajtjen që lejohet, por që mund të shikohet vetëm nga personat e rritur të moshës 18 vjeç e lart.